Analiza e fortë e veprimtarit të LDK-së: Ja cilat parti janë në koordinim të plotë kundër kryeministrit – “Qeveria Hoti e ka tmerruar bllokun LPK-ist”

Përkundër përplasjeve të fundit ndërmjet LDK-së dhe AAK-së, kjo e fundit e cila është pjesë e koalicioni qeverisës, nuk pritet ta përkrahë mocioni për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

Mirëpo, partia e Ramush Haradinajt, nuk po i ndalë në asnjë moment kritikat për shefin e Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti.

Kreu i këtij subjekti politik, së fundi ka dalë kundër vendimit të Hotit për task-forcën, e cila është parë si një sinjal që mund të çojë drejt prishjes së raporteve LDK-AAK. E, lidhur me këto përplasje në koalicionin që qeverisë me vendin, ka folur Saim Tahiraj.

Veprimtar i hershëm i LDK-së, Saim Tahiraj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka deklaruar partitë politike të dala nga LPK-ja, janë në një koordinim të plotë kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Tahiraj shprehet se sukseset e Qeverisë Hoti, qofshin në arenën vendore apo ndërkombëtare, kanë tmerruar kundërshtarët, gjersa deklaron se kryeministri Avdullah Hoti është bërë pengesë e pakapërcyeshme për bllokun e LPK-së.

“Zhvillimet politike në Kosovë janë futur në një fazë të re. Lufta e ashpër politike po shkon drejt finales duke mos zgjedhur metodat, por në stilin; gjithçka apo asgjë. Partitë politike që janë pjellë e LPK-së, qofshin ato në pozitë apo në opozitë, janë në koordinim të plotë, si çdo herë dhe tërë arsenalin e tyre e kanë drejtuar kundër LDK -së. Derisa partitë opozitare PDK dhe VV po sulmojnë pamëshirshëm nga opozita, AAK-ja sulmon dhe shantazhon nga pozita. E gjithë kjo po ndodhë për faktin se sukseset që po i arrin Qeveria Hoti e ka tmerruar bllokun LPK-ist. Të gjitha këto suksese, qofshin në arenën ndërkombëtare apo vendore e kanë fuqizuar pozitën e kryeministrit Hoti dhe autoriteti i tij është bërë pengesë e pakapërcyeshme për bllokun LPK –ist”, shprehet për gazetën “Bota sot”, veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Saim Tahiraj.

Për Tahirajn, puna e Qeverisë Hoti duhet vazhduar me të njëjtin ritëm, pasi ai thekson se vetëm me një LDK të fortë do e kemi një Kosovë të fortë dhe prosperuese.

Tutje, ai nënvizon se nga alarmi se ka filluar shkatërrimi i këtij rrjeti kriminal që shkatërroi çdo gjë në Kosovë, janë hedhur në ofensivë që më çdo kusht ta rrëzojnë Qeverinë Hoti.

“Lufta e pakompromis e Qeverisë Hoti kundër bazave kryesore të krimit të organizuar i ka alarmuar bandat kriminal. LDK duhet të jetë unike më tepër se kurrë dhe ta mbështesë fuqishëm qeverinë Hoti. Sukseset e saj duhet vazhduar edhe më fuqishëm. Luftën kundër bandave kriminale të cilat janë instaluar në shumë institucione shtetërore dhe publike duhet shkatërruar përfundimisht. Kjo arrihet vetëm me një LDK unike dhe të fuqishme, andaj ta japim të gjithë kontributin tonë në këtë fuqizim. Vetëm me një LDK të fortë do e kemi një Kosovë të fortë dhe prosperuese”, tha në fund, veprimtar i hershëm i LDK-së, Saim Tahiraj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *