Befason Çun Lajçi: Një femër me ‘zogun’ jashtë mu afrua; fotografoje lepurin tand t’rruem, veç pa mua i thashë

Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi, derisa shiste librat e tij në Prizren tregon se i ndodhi diҫka e papritur. Një femër që kishte veshje provokative thotë se u afrua të fotografohej me të, por ai e kishte refuzuar atë.

Ai thotë se ajo i vendosi dorën mbi supe duke i thënë se dëshiron të fotografohet me të, mirëpo kishte nxjerr në shesh ‘pjesët intime’, dhe Ҫun Lajҫi i ishte drejtuar me kët fjalë: “Fotografoje lepurin tand t’rruem, veç pa mua i thashë, dhe u ula të librat plot pezëm”.

Postimi i plotë:

Fotografoje zogun tand zonjushë i thash, jo mua

Të ti po ndalem Urë harqesh me gur t’lamë uji. Te ti po nxa vend e n’qemerin e rrethojes sate po i ve librat e po i pushoj kujtimet e kohës s’harxhueme.

Thashë kur mbrrina n’Prizren, aty të ajo ish Kinema Bistrica!

Kur t’pashë herën e parë e ajo tashma asht e largët, vit dëshirash e andrrash për die ishte 1963-shi im, m’shkoi mendja të Kadri Bajri, Bajraktari i Rugovës, t’cilin e deshti shumë presidenti Ibrahim! Të Jakup Ferri e Ali Pasha m’shkoi mendja. Thashë ata erdhën prej Gucisë n’kuaj shale tue i ladrua Qafës Çakorrit, dhe e kaluen këtë Urë Guri e u ngjitën të Kalaja, mu takua me Avdyl Frashnin!

E shkelën urën me lidhë besën, pa iu shkua mendja se dy shekuj mbrapa, ne do t’ia falim malazezit tokën e Shqipnisë, Çakorrin, nëpër qafën e t’cilit ata prap u kthyen n’Guci!

Do t’ia falim, se falë luftës do t’i blejmë tokat pjellore për vetëm nji euro arin dhe s’do t’marrim pak jo, nga dyqind hektarë fusha do t’i bajmë prona, n’kopenzim t’patriotizmit, që ma vonë t’ia shesim vllaut nga gjaku për miliona! Do t’blejmë ne, por blemje s’i thuhet kur gjithçka e atdheut shitet për nji euro, e kishave serbe do t’ua falim mija hektarë fusha e male, e s’do t’mundemi t’i asfaltojmë rrugët tona, tashma maleve të kishës!

Këtu po n’dalem o Urë e rinisë sime. Këtu ku u puthën n’mesnatën e ’72-tës dy artistët e kombit Pirro Mani e Edi Luarasi, që t’iu mbetet kujtim vizita e parë këtej Drinit!

Unë po shes libra e ti m’trego për nallçet e kuajve që t’shkelën atë ditë. A ishin si gomat e xhipave t’zi t’komandantëve t’harlisun! M’trego për opingat e Jakup Ferrit. I kishte lëkurë lope t’punueme me gjypnyer apo me sixhima lidhun!

Alia e Kadria kishin çizme me mamuze, por edhe mustakë trashē ishin.

Sot po kthehem të ti se kam çka me t’tregua edhe unë për njizet vite lirie, që coptohemi tue na coptua të tjerët. Që shitemi tue na ble të tjerët. Që lirinë s’e shohim se si po na largohet mbas kodrave e shesim mend se si e çliruem ne vendin! Tue harrua se do aviona amerikan e kallën tokën ku rrishin çetnikët serb!

Po Urë, m’duro edhe mua sot, siç po e duron Stambollin e Bogomilen tue t’përqeshë. Librat m’i duro, siç i durove hajnat që ta shkatërruen identitetin për groshët e tyne! M’vjen keq veç prej pluhunit t’gjeniut, atij Bekimit, artistit që lundroi lumit tand, se sot do t’urinoja n’ty tue bërtitë: Jam n’Stamboll a n’Beligrad o “Lidhje e Prizrenit”, o shehri im i viteve rinore!

Dielli i ishte afrua Pashtrikut e kuq dukej anadrinia. Unë kuferin e zbraza si drutë e shkurtueme nga kali. N’urë i hudha e thirra: Shkelni mbi “Bastardë” si n’qylymin e kuq o t’bekuem!

Nji zonjushë u shkëput nga burri që e shoqnonte. M’u afrua me celular n’dorë.

– Dua t’fotografohem me ty, m’tha, dhe ma hudhi doren mbi supe. E lakoi belin sa majtas sa djathtas. Fustanin e hapi dy herë por siduket n’fotografi s’i dukeshin mirë kofshet e gjini. Të tretën herë e hapi edhe ma shumë e zogu pa pupla i duel n’lendinë, por unë u shkëputa nga hije e saj.

Fotografoje lepurin tand t’rruem, veç pa mua i thashë, dhe u ula të librat plot pezëm. Ç’asht me farën time që dëgjenerohet! Ç’asht kjo liri e bastardhueme.

Burri që e shoqnonte e priste ulun n’rrethin e urës tue ia shikua zogun e gjijtë! Dielli i mblidhte rrezet e njerëzit rralloheshin.

Nji burr e lëshoi nji thes shtalba kallamoqi të librat. Shkoi dhe erdhi me nji tangar plot prush.

M’shiqoi idhshëm!

– Çka po pret, m’tha. Këtu shes unë kallamoqa. Ik liroma urën! S’fola.

Kishte folë ajo zonjusha me kofshët e gjinin përjashta, si t’ishte përtej Urës së Gallatës.

– Ah Haxhë Mustafë bre, po qysh s’je gjallë me i dalë edhe njiherë pajtanxhiut n’Gallatë e me ia nxjerrë gjakun Gani Begut, thashë tue i shti librat n’kufer. Zotni Çun, e dua librin “Bubulinë ti letër e pashkrueme” m’thotë njena prej dy binjakeve që ma kishin kërkua edhe javën që shkoi.

Po i thashë dhe ia firmosa. Para se t’nisesha i vuna duert n’gurët e harkut t’Urës e fola me ujin.

-Bekim, ja ku e ke kolegun, mbas gjithë atyne roleve e filmave!

E zeza e t’gjithave janë pushtetarët që bahen kinse nuk po m’shohin e s’afrohen me ble nji libër. E t’mos flas për regjisorët që s’me ofrojnë role. Tpakten shitsin e librave mirë do ta kisha luejt!

Eh pushteti!

Ah këta pushtetarë që notojnë n’baglat e veta! Natën e mirë ti gjeniu i shqiptarve, se Çuni nëse s’vjen prap, vjen nji çun tjetër e mbas tij nji tjetër për t’vazhdua jeta!

Kurriz, 18.10.2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *