Dy kompanitë më të mëdha në Kosovë: Telekomi dhe Trepça me llogari bankare të bllokuara

Për shkak të borxheve të akumuluara ndër vite, gjatë kësaj jave kanë përfunduar me llogari bankare të bllokuara dy kompanitë më të mëdha në Kosovë, Telekomi dhe Trepça.

Ndërmarrja Trepça ka një borxh prej rreth pesë milionë euro ndaj Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) dhe operatorëve tjerë, derisa Telekomi i Kosovës i ka borxh mbi 25 milionë euro kompanisë Z-Mobile.

Kryeshefi i Trepçës, Hysen Vrajolli ka deklaruar se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit është duke bashkëpunuar me Bordin dhe Menaxhmentin e Trepçës, për të përgatitur panin e biznesit për tejkalim të situatës.

Viti 2018, nga Qeveria e Kosovës që atëbotë udhëhiqej nga Ramush Haradinajn, ishte shpallur vit i kompleksit metalurgjik Trepça, që nënkuptonte rifunksionalizimin e ndërmarrjes.

Por, kjo ndërmarrje, e cila llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi, asnjëherë që nga paslufta nuk ka arritur të vihen në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Bllokimi i llogarive të Telekomit të Kosovës nga një përmbarues privat është për bërë për të dytë herë brenda tre muajve. Në korrik, pas takimeve që kishin pasur përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit me kompaninë Z-Mobile, llogaritë ishin zhbllokuar.

Marrëveshja e vitit 2009 me “Dardafon.net LLC” është konsideruar si kontratë e dëmshme, e cila, përveç tjerash, thuhet se e ka futur në krizë financiare Telekomin e Kosovës. Kjo kompani është e njohur me emrin tregtar Z-Mobile.

Kjo kontratë, i kishte mundësuar kompanisë Z-Mobile të ishte operator virtual i telefonisë mobile të operatorit mobil Vala, që funksionon në kuadër të Telekomit të Kosovës.

Kontrata në vazhdimësi është konsideruar si e dëmshme, por si e tillë ka zgjatur deri në korrik të vitit 2019, kur bordi i Telekomit të Kosovës pati marrë vendim për shkëputjen e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *