Hoti: Reciprocitet i plotë ndaj Serbisë nëse nuk ndodh kjo

Kryeministri Avdullah Hoti është i bindur se brenda pak muajsh do të përmbyllet dialogu me Serbinë. Kreu qeveritar në interpelancën e sotme në Kuvend tha se nuk ka asnjë iluzion për këtë çështje. Sipas Hotit dialogu do të përmbyllet me njohje reciproke ose do të konstatohet së bashku me partnerët ndërkombëtar se nuk do të ketë marrëveshje.

E atëherë, siç tha Hoti do të ketë reciprocitet të plotë ndaj Serbisë.

Hoti: Ky dialog është çështje muajsh, nuk kam iluzione për këtë

“Ky dialog është vetëm për marrëveshjen finale me njohje reciproke. Ky dialog është çështje muajsh, nuk kam iluzione për këtë. Nuk e di a do të përmbyllet me njohje reciproke, nuk e di a do të përfundojë me njohje, do të doja të përmbyllet me njohje, por e di që do t’i vie fundi për disa muaj dhe do të sjellim një marrëveshje për njohje reciproke në këtë kuvend, ose do të konstatojmë së bashku me partnerët se nuk mund të arrihet kjo marrëveshje. Ju garantojë se kthehemi te vendosja e reciprociteti të plotë në çdo aspekt me Serbinë”

E atij i reagoi sërish deputeti i PDK-së, Hoxhaj i cili tha se nëse është e vërtet miratimi i qarkores për mos aplikimin në organizata ndërkombëtare është gabim i madh.

Hoxhaj: Draftin e qarkores duhet anuluar

“Atë draft duhet anuluar, thirrni amerikanët, thoni atyre se e zbatojmë marrëveshjen e Uashingtonit, por kjo është shumë. Nuk mundet njeri të bëj qarkore, mundet ekipet të bëjnë që del me diçka të tillë, po është goxha e madhe”, tha ai.

Seanca e Kuvendit të Kosovës është duke vazhduar.

Hoxhaj: Mini-shengeni e izolon Kosovën në rajon

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj i ka kërkuar kryeministrit Avdullah Hoti të mos hapë tema të reja teknike në dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tij kreu qeveritar duhet të miratojë një platformë në Kuvendin e Kosovës ku thuhet se Asociacioni i Komunave Serbe është temë e mbyllur. Hoxhaj shprehu shqetësimin e tij edhe për përfshirjen e Kosovës në nismën rajonale të mini-shengenit.

Hoxhaj në seancën e sotme plenare kritikoi kryeministrin edhe për vendimin e mosaplikimit në asnjë organizatë ndërkombëtare.

“Përveç mos aplikimit në organizata ndërkombëtare ka një përpjekje të Serbisë edhe këto dy-tri javët e fundit, aty ku jemi anëtarësuar të suspendohet anëtarësimi. Aty ku jemi anëtarësuar , mos me pas të drejtën e votës, mos me pagua pagesën e anëtarësisë. Mos me pas të drejtën me zgjedh dhe mos m’i marrë as përgjegjësitë dhe privilegjet”, tha ai.

Ai tha se mini-shengeni është një rreth i dytë për të izoluar Kosovën.

“Mini-shengeni është një rreth i dytë për të izoluar Kosovën në rajon. Nuk po them asgjë të re se e kemi thënë edhe para 4-5 viteve. Nuk mund të ketë një bashkëpunim rajonal të barabartë pa zgjidhjen e një teme kyçe rajonale pa zgjidhjen e një teme kyçe që është dialogu Kosovë-Serbi. Nuk mund të ketë bashkëpunim rajonal kur vendet nuk e njohin njëra-tjetrin…qeveria duhet të bie në Kuvend ligj se si duhet t’i qaset mini-shengenit. Kjo vetëm rezolutë, jo vetëm një rregullore. Loja rreth tij und të jetë më e komplikuar. Mini-shengeni mund të jetë përpjekje për të shfuqizuar kapitullin 35 që Serbia e ka kusht për të njohur Kosovën”, tha ai.

Ndërsa për t’i hequr dilemat për asociacionin, Hoxhaj kërkoi miratimin e një platforme në Kuvend ku theksohet se kjo temë është e mbyllur.

“Nuk është vonë që qeveria të sjell një platformë në Kuvendin e Kosovës për dialogun. Sikur të kishte platformë me një fjali se asociacioni është temë e mbyllur. Vendimi i Gjykatës është rruga e vetme për të shkuar përpara, ma merr mendja që kur është kanë Lajçaku në Prishtinë kryeministri ju ia kishit thanë qatë fjali dhe gjithë ata që e kishin votuar. Prandaj jam hapur dilemat se nëse diskutohet për Asociacionit, a do të diskutohet për kompetencat e tij…mos e zgjatini këtë dialogun teknik se ka me pas tema të reja dhe nuk është në interesin as të juaj dhe as tonin si vend”, tha ai.

Deputetja e VV-së e quan Kryeministrin Hoti naiv

Deklarata e kryeministrit Avdullah Hoti se në Qeverinë Kurti ishte bërë kërkesë për heqjen e aplikimit në Interpol ka nxitur reagime të Lëvizjes Vetëvendosje.

Hoti ka thënë se edhe njëherë se ish-ministri Glauk Konjufca duhet të jetë arsyetuar për këtë çështje te partia e tij.

“Po e përsëris prap, unë kam qenë pjesë e Qeverisë kur ish-ministri i Jashtëm e ka prezentu kërkesën e tij për shtyrjen për 1 vit për anëtarësim në Interpol, cili ka qenë arsyetimi që iu k a dhënë juve, edhe unë e kam qu dorën përpjetë, po cila është ajo që ju ka thënë juve”, ka thënë Hoti.

Kësaj deklarate iu është përgjigjur deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli që e ka quajtur naiv kryeministrin Hoti.

“Z.Hoti ose je naiv e nuk e kuptoni se nuk janë çka janë interesat kombëtare të një shteti, ne kur llogaritim të aplikojmë apo jo, kur ne në institucione vendosim të aplikojmë apo jo e llogarisim mirë në interesin tonë strategjik si shtet, kur dalim e zotohemi ndërkombëtarisht ka dallim shumë të madh, është shkelje e Kushtetutës, ndërsa, kërkesa jonë ka qenë kërkesë për një vendim strategjik si shtet”, ka thënë deputetja.

Bislimi: Pezullimi është akt politik i koordinuar me SHBA

Deputeti i LDK-së, Faton Bislimi, tha se pezullimi njëvjeçar i aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare është akt politik i koordinuar me SHBA-të, i bërë në një marrëveshje të garantuar nga SHBA-ja në Shtëpinë e Bardhë.

Ai tha se pezullimi nuk e cenon në asnjë moment sovranitetin e vendit, sepse sipas tij, sovraniteti assesi nuk përcaktohet nga aplikimi apo mos aplikimi në një organizatë ndërkombëtare.

Deputeti Bislimi tha se duke qenë se Kosova nuk është anëtare e OKB-së rrjedhimisht nuk e plotëson një parakusht kyç për anëtarësim në organizmat apo organizatat e posaçme që dalin nga OKB-ja.

“Ajo që realisht do të cenonte interesin nacional të Kosovës, rrjedhimisht edhe sovranitetin e vendit tonë do të ishte pezullimi apo tërheqja e Kosovës nga organizatat ndërkombëtare e ndërqeveritarë ku Kosova tani e sa vite është anëtare me të drejta të plota, por kjo nuk ka ndodhur dhe assesi që do të ndodh. Fundja ne e dimë fare mirë që secili anëtarësim i Kosovës në secilën organizatë ndërkombëtare apo ndërqeveritarë është arritur me sukses vetëm atëherë kur bartës kryesor të këtij procesi kanë qenë miqtë tanë amerikan dhe ata evropian. Pa ta anëtarësimi i Kosovës në çfarëdo organizate ndërkombëtare thuajse do të ishte e pamundur, kur është parasysh vërsulja e paskrupullt e Serbisë dhe miqve të saj historik me relevancë siç është Rusia kundër pavarësisë dhe fushatës së çnjohjes. Pra pezullimi është akt politik i koordinuar me SHBA i bërë në një marrëveshje të garantuar nga SHBA-të në Shtëpinë e Bardhë”, tha ai.

Ai tha se Kosova edhe mund të provojë që të aplikojë në cilëndo organizatë ndërkombëtare për anëtarësim, por tha se pa SHBA dhe miqtë e tjerë nuk do t’ia dalin.

Hoti – Vetëvendosjes: A e keni pyetur Glauk Konjufcën për heqjen e aplikimit në Interpol?

Kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti në seancën e sotme të Kuvendit ka pasur disa pyetje për opozitën. Fillimisht, Hoti iu ka drejtuar pyetje deputetëve të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka thënë se LVV-ja duhet të pyet ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcën, se pse kishte propozuar që të hiqet dorë nga aplikimi në Interpol.

“Po e shtroj si pyetje, jo me qëllim të keq për grupin parlamentar të LVV a e keni pyetur ish-ministrin e Jashtëm që Qeveria të miratoj shtyrjen e aplikimit në Interpol? Sinqerisht a e keni pyetur?”, ka thënë Hoti sot në seancë.

Ai ka pasur pyetje edhe për PDK-në sa i përket çështjes së njohjeve.

“E dyta për PDK-në ne kemi mbi 10 tërheqje të njohjeve 10 viteve të fundit, çka kemi bërë ne me këto kapacitete që kemi, ne vetëm e kemi stopu një trend negativ, tash çka po bënë kjo qeveri po e koordinon politikën me SHBA-në e BE-në”, ka thënë Hoti.

***

​Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e ka cilësuar si heqje dorë nga shtetësia zotimin e kryeministrit Avdullah Hoti në Washington që Kosova për një vit të mos aplikojë në organizata ndërkombëtare.

Nagavci tha se me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, Hoti e ka shpërblyer dyfish Serbinë, duke e akuzuar se e ka fikur shtetin e Kosovës. Teksa Nagavci po fliste, Hoti po diskutonte me kryeparlamentaren Vjosa Osmani, ndërsa pastaj doli jashtë sallë së Kuvendit për t’u kthyer sërish më vonë.

“Me pezullimin e së drejtës që të kërkojë anëtarësim nga organizatat ndërkombëtare e përmbushi Serbinë që të vazhdojë fushatën e saj kundër njohjeve kundër Kosovës. Kjo kërkesë është që Kosova të heq për një vit të heq dorë prej sjelljes së saj si shtet normal e sovran… Anëtarësimi në organizata i ndihmon ekonomisë dhe nuk e pengon atë. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare është atribut i sovranitetit të një vendi… S’ka asnjë shtet që i thotë vetes shtet që i thotë publikisht shtetit tjetër që të heq dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare…Shteti ose ekziston ose jo. Nuk mund të konsiderohet si një makinë që mund ta fikësh e ta ndezësh sa herë që dëshiron… Ju e fikët vullnetarisht shtetin. Zotimi për mosanëtërësim në organizata të ndryshme është bllokim për një vit i shtetit të Kosovës… Shumë prej këtyre proceseve kanë pasur sfida në anëtarësim ndërkombëtar e tash po e pengoni ju atë”, ka thënë Nagavci.

Parparakisht, kryeministri Avdullah Hoti u ka dhënë përgjigje deputetëve të LVV-së për këtë pikë të marrëveshjes.

Pacolli: Hoti i tha “po” mini-shengenit, e “jo” anëtarësimit në BE

Deputetja e LVV-së Fitore Pacolli, tha se kryeministri i Kosovës në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e vendit është zotuar se do të suspendojë të drejtën legjitime të shtetit të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Ajo tha se ishte kërkesë e Serbisë që Kosova të heq dorë nga kërkesa e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa tha se që të ulet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë, sipas saj, kryeministri Hoti suspendoi shtetësinë e Kosovës.

Pacolli: Të qenit shtet i pavarur nuk mjafton nëse nuk të njihet subjektiviteti ndërkombëtar

“Kosova është shtet i pavarur, por të qenit shtet i pavarur nuk mjafton nëse nuk të njihet subjektiviteti ndërkombëtar dhe këtë ne duhet ta dimë më së miri. Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare rajonale mbetet alternativë e domosdoshme për të siguruar njohjen e subjektivitetit ndërkombëtar dhe shtetësinë. Duke qenë shtet i vogël Kosova nuk ka mundësi të shtrijë rrjetin e saj diplomatik në çdo cep të botës. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare krijon hapësirë për shtrirje të ndikimit të saj dhe jep zë për të avancuar interesat e saj. Anëtarësimi në organizatën ndërkombëtare z. Hoti është njohje e pavarësisë së Kosovës nga shtete që nuk e kanë njohur akoma Kosovën. Përmes njohjes kolektive anëtarësimi në organizata ndërkombëtare i siguron Kosovës të drejtën e votës në këto organizata dhe formalisht e barazon atë me shtetet e tjera”, tha ajo.

Me këtë zotim për mos aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, Pacolli tha se po dëmtohet pozita e shtetit të Kosovës edhe në ato organizata ku tashmë është anëtare.

Pacolli: I thoni “po” mini-shengenit dhe zonës së Novisadit, por “jo” Bashkimit Evropian

“Si është e mundur që moratoriumi një vjeçar të mos aplikohet kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e Kosovës në zonën e mini-shengenit apo në zonën e Novisadit. Si është e mundur Kosovës t’i pezullohet e drejta për t’u anëtarësuar në BE, në NATO, UNESCO, dhe t’i lejohet e drejta për t’u anëtarësuar në zonën e Novisadit. Si mundet të ndodhet kjo, pra ju si një proamerikan i thoni ‘Po’ mini-shengenit dhe zonës së Novisadit, por ‘Jo’ Bashkimit Evropian. Ju i thoni ‘Po’ mini-shengenit apo zonës së Novisadit por ‘Jo’ anëtarësimit në NATO, e çuditshme kjo. I thoni ‘Po’ mini-shengenit, por ‘Jo’ Këshillit të Evropës. I thoni ‘Po’ mini-shengenit apo zonës së Novisadit, por i thoni ‘Jo’ Organizatës Botërore të Shëndetësisë. I thoni ‘Po’ mini-shengenit apo zonës së Novisadit, pra iniciativës së Serbisë, por ‘Jo’ UNESCO-së”, tha ajo.

Deputetja e LVV-së Fitore Pacolli, në fund të fjalës së saj ka paraqitur edhe rezolutën rreth anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Pacolli: Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria që të vazhdojë aplikimet

“1. Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare është objektiv i shprehur përmes deklaratës së pavarësisë dhe Kushtetutës së Kosovës. 2. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria që të vazhdojë aplikimet për anëtarësimet e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Obligohet Qeveria e Kosovës që brenda dy javësh t’i dërgojë Kuvendit të Kosovës planin e veprimit për përgatitjet dhe aplikimin në anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. 3. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të mundësojë dhe të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë e kushtetues me qëllim të realizimit të anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare”, tha ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *