Jo më “i pari bajraktari!”

Me qeverisjen LSDM-BDI, pastaj edhe Alternativa, por edhe me votat e opozitës shqiptare – Lëvizjes Besa dhe të Aleancës për Shqiptarët – Maqedonia e Veriut është në epërsi ndaj nacionalizmit famëkeq të VMRO-DPMNE-së.

Shkruan: Xhenis SULIMANI, Kumanovë

I pari (fitues) te maqedonasit dhe i pari te shqiptarët. Kështu ishte “matematika paszgjedhore” në të shumtën e rasteve, mes partive politike. Me ose pa vetëdije sikur harrohej se çfarë në të vërtetë shkruan Kushtetuta e vendit dhe se çfarë matematikash dalin prej aty.

Neni 90, shkruan qartë: Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut e ka për detyrë që në afat prej dhjetë ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend.

I pari te shqiptarët me të parin te maqedonasit e forcon pozitën shqiptare. Jetonte kjo ide me logjikën se vetëm i pari të shqiptarët mban kredibilitetin dhe integritetin për të përfaqësuar shqiptarët në pushtet.

Rrethanat politike ndryshuan kur Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë më nuk e cilëson veten vetëm maqedonase, por paraqitet si parti qytetare. LSDM synon votën shqiptare publikisht dhe pas legjitimitetit elektoral shqiptarë dalin edhe funksionarë shqiptarë nga po e njëjta parti.

Bashkimi Demokratik për Integrim ia dhanë luksin partisë së dytë sipas numrit të votave të bëjë Qeverinë, në zgjedhjet e fundit parlamentare. BDI vendosi qënëpërmes votës së saj, t’i mundësojë Zoran Zaevit të formojë shumicën parlamentare dhe automatikisht edhe pozitën e mandatarit nga presidenti i shtetit. Me këtë ra poshtë mendimi se “i pari me të parin” është më mirë për shqiptarët. Dhe, argumenti është kryeparlamentari Talat Xhaferi, anëtarësimi në NATO dhe pastrimi i rrugës drejt BE-s.

Pse mendoj që shqiptarët do të fitojnë edhe në çfarëdo matematike tjetër në zgjedhjet e 15 korrikut?

Me qeverisjen LSDM-BDI, pastaj edhe Alternativa, por edhe me votat e opozitës shqiptare – Lëvizjes Besa dhe të Aleancës për Shqiptarët- Maqedonia e Veriut është në epërsi ndaj nacionalizmit famëkeq të VMRO-DPMNE-së. Partia nacionaliste maqedonase e ka të betonuar formimin e çfarëdo qeverie derisa nuk përmirëson retorikën e saj ndaj shqiptarëve. Edhe sikur e njëjta parti do të dilte fituese në këto zgjedhje, për momentin nuk ka parti shqiptare që do koaliciononte me to.

Ky pozicionim i shqiptarëve do të ndikojë që ta zbusë ose të zbehë nacionalizmin maqedonas, nga i cili kemi vuajtur nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut.

Meqë “i pari me të parin” po bie si praktikë, tani, partitë maqedonase tregohen më të hapura dhe më bashkëpunuese me komunitetet e ndryshme në vend, jo vetëm me shqiptarët. Kjo është nivel tjetër i demokracisë. Dhe, pa modesti, është meritë e partive shqiptare.

Nuk ka më “i pari bajraktari”. Jo, sepse demokracia është e sundim i popullit. Nuk ka më “sigurt e ki Gruevskin”. Sot shtetet moderne janë të popujve, shumë ngjyrëshe, janë shumë fetare e shumë etnike… që do të thotë se “abc-ja” është gjithëpërfshirja.

Pse jo kryeministri shqiptar?

Kjo është pyetja e parashtruar nga Bashkimi Demokratik për Integrim në këtë fushatë zgjedhore. Pyetje legjitime. Dhe nga ajo që shtjellova më lartë, jo e parealizueshme në kushte demokratike.

Në një dimension thash kemi mbërri një nivel tjetër në demokraci. Por, në një anë tjetër jemi ende në kalitje e sipër. Një shteti modern, nuk i ka hijeetnizimi i posteve dhe funksioneve politike. Jemi te inkluziviteti apo jo? Që do të thotë se nuk do të kishte problem. Paraqitja e kundërkandidatëve për këtë temë le për të dëshiruar.

Megjithatë, gara në politikëështë e hapur dhe nesër, pas 15 korrikut, jo i pari, por demokracia do të triumfojë. Dhe këtë e di çdo kandidat. Fatmirësisht elektorati nuk do i jep askujt luksin që të ketë shumicën absolute dhe kështu matematikat prapë do jenë protagonistë. Nga prizmi im,qeveritë labile janë më demokratike, derisa nuk synojnë dhe kërkojnë shumicë absolute. Dhe, në Maqedoninë e Veriut edhe pas 15 korrikut do të kemi Qeveri pa parti fituese.

Tash është koha!

Është kohë për të pasur befasi në këto zgjedhje dhe pa dyshim se befasia do të jetë koalicioni zgjedhor AAA dhe ASH. Koalicioni shqiptar nuk është kundër propozimit të BDI-së, por duan të dëshmojnë që ka ardhur koha që legjitimiteti i shqiptarëve të ketë adresë tjetër. Dhe, se, po ka ardhur koha, por e avancimit të pozitës së shqiptarëve dhe jo funksionarëve politikisht të harxhuar.

Mundemi?

Lëvizja Besa me koalicionin e saj parazgjedhor me LSDM-në dëshmoi se është e mundur shkatërrimi i barrierave etnike në Maqedoninë e Veriut dhe se në vend të pazareve paszgjedhore për pushtet, mund të zgjidhet bashkëpunimi edhe para zgjedhjeve.

Finalja!

Si çdo finale tjetër vjen shpejtë dhe me shumë dinamikë. Si përcjellës i politikës, si politikolog, nuk dua fitore absolute. Triumf të demokracisë dhe zgjedhjeve korrekte, patjetër. Mosdhënia e mundësisë për fitore absolute të partive është fitore e popullit. Kështu populli i bën politikanët më të kujdesshëm. Partitë më të buta dhe jo të ashpra ndaj rivalëve, shkaku i hapësirës për koalicione paszgjedhore. Kështu, në vend se me retorikë të ashpër e sharje ndaj njëri – tjetrit, partitë dhe protagonistët, do të jenë më të zënë me propagandimin e agjendave të tyre politike, programit eventual qeverisës dhe prezantimin e ideve për të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *