Kosova të alarmohet nga provokimi i ri i Serbisë

Ditë më parë ndodhi një provokim i radhës kundrejtë shtetit të Kosovës në parlamentin e Serbisë. Qeveria e re e Serbisë, e cila u votua kohës së fundit në krye me Ana Brnabiç, është zotuar që nuk do të heq dorë nga insistimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ajo pos kësaj u betua për besnikëri ndaj Republikës së Serbisë, me përgjegjësi dhe përkushtim në ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë, kjo deklaratë ngjalli reagime të mëdha tek liderët politik të Kosovës.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i zëvendëskryeministrit Besnik Tahiri, i cili ka thënë se Republikën e Kosovës e ruan populli i vet, gjaku i dëshmorëve, institucionet demokratike dhe e drejta jonë kombëtare e ndërkombëtare. Ai ka thënë se një gjë është e qartë, Republika e Kosovës kurrë më nuk do të ruhet e kthehet nga Serbia.

Kjo deklaratë bëri “jehonen” e saj sepse me këtë vihet edhe në dyshim se a mund të ketë njohje të vendit të Kosovës edhe nëse vazhdojnë takimet mes dy shtetëve. Sipas këtij provokimi dhe deklaratës të analistit politik amerikan, Danile Server, takimet do të jenë vetëm formale me asnjë rezultat sepse Vuçiq nuk do ta njoh Kosovën si shtet.

Server: Serbia nuk do ta njoh Kosovën

Analisti politik amerikan, Daniel Server ka deklaruar se ai beson që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk do ta njohë shtetin e Kosovës.

“Ai, Vuçiq nuk do ta bëj, unë e besoj këtë. Unë mendoj se Serbia ka më shumë të ngjarë të ketë një president të ri, para se ai të njohë Kosovën”, tha Server.

Analisti u deklarua gjithashtu për marrëveshjen e Uashingtonit të cilen e pa si një rrëmujë të hollë dhe ka qenë vetëm mjet fushate e Trump-it.

“Unë mendoj se e gjitha është një rrëmujë e hollë. Nëse vërtet dëshironi normalizim duhet kuptuar se marrëveshja në Uashington është vetëm një mjet fushate e Trump-it”, u shpreh ndër të tjera Server.

Sipas Server, plani për shkëmbim të territoreve nuk është varrosur.

Ndërsa të kontaktuar nga “Bota sot”, njohësit e çështjeve politike u shprehën që Serbia nuk ka ndryshuar asnjëhere qasjen e saj ndaj Kosovës dhe se mundësia që të mos ta njohin shtetin tonë është shumë e madhe nëse Kosova nuk e vë si kusht njohjen e vendit për të vazhduar bisedimet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *