Mustafa falënderon liderët e tjerë, por jo edhe Albin Kurtin, ndonëse ai i uroi shërim të shpejtë

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka njoftuar se është shëruar nga Coronavirusi.

Mustafa ka bërë të ditur se ka rezultuar negativ në testin që ka bërë së fundi.

Ai ka falënderuar mjekët, familjen si dhe zyrtarë shtetërorë në Kosovë e rajon që i uruan shërim të shpejtë.

Mustafa ka falënderuar disa nga liderët e partive kryesore politike në Kosovë, por aty nuk e përmend kreun e VV-së, Albin Kurtin, i cili përmes një videoje të publikuar në Facebook, i kishte uruar shërim të shpejtë e të plotë kreut të LDK-së, shkruan Reporteri.

“Me këtë rast, u shpreh ngushëllime të gjithë familjarëve të të vdekurve nga virusi korona dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë e të plotë secilit qytetar të sëmurë, deputetëve të infektuar si dhe kryetarit të LDK-së, Mustafa”, kishte deklaruar Kurti në videon e publikuar.

Në mesin e zyrtarëve nga Lëvizja Vetëvendosje që Mustafa ka falënderuar është vetëm nënkryetarja, Arbërie Nagavci.

“Falënderoj Presidentin Thaçi, Presidenten Jahjaga, Kryeministrin Hoti, Kryeparlamentaren Osmani, Kryetarin e PDK-së, Veseli, Kryetarin e AAK-sê, Haradinaj, Kryetarin e Nismës, Limaj, kryetarin e AKR-së, Pacolli, kryetarin e Prishtinës, Ahmeti, nënkryetaren e Kuvendit nga VV, Nagavci; burrështetasit shqiptarë: Presidentin Ilir Meta, Presidentin, Sali Berisha, Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e PD, Lulzim Basha, Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramos Ruçi, Sekretarin e PS, Taulant Balla, kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti; si dhe ambasadorin e SHBA-së Kosnett, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Abott, ambasadorin e Italisë, Orlando, ambasadori zviceran, Lebet, deutetë të pozitës dhe opozitës dhe shumë qytetarë për tregimin e kujdesit dhe urimet e tyre për shëndetin tim”, ka shkruar ndër të tjera Mustafa në falënderimin e tij.

Ai ka folur edhe për ata që ia kanë uruar më të keqen në përballje me këtë betejë, derisa ka thënë se me ta do të merret drejtësia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *