Osmani presidente e Kosovës? Kush do ta pengonte një gjë të tillë?

Gjykata Speciale ende nuk ka bërë të ditur se a ka konfirmuar apo jo aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit, edhe pse janë bërë plotë 6 muaj prej kur Zyra e Prokurorit të Specializuar u ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej gjykatës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se presidenti Hashim Thaçi, kreu i PDK-së, Kadri Veseli si dhe emra të tjerë që nuk janë bërë publik, janë përgjegjës për 100 vrasje, përndjekje e tortura.

Për shkak që ende nuk është vërtetuar aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit, mendimi që posti i presidentit do të mbetët i lirë ka ngjallur dëshirën për liderët e tjerë të “luftojnë” për atë post.

Të deklaruar për kandidimin e tyre për këtë post kanë qenë, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kreu i NISME-s, Fatmir Limaj mirëpo se do të jetë kandidate për këtë post u përfol edhe ish-ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku por që ajo nuk është deklaruar në lidhje me këtë çështje.

Së fundi Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, komentoi se si do jetë Kosova pas Hashim Thaçit, për të cilin flitet se do i konfirmohet aktakuza nga Haga.

“Nuk kam asnjë fakt apo argument që aktakuza është konfirmuar. Unë e di që zoti Thaçi ka premtuar se do japë dorëheqje kur të konfirmohet aktakuza”, u shpreh Konjfuca.

Ndërsa i pyetur për postin e presidentit Konjufca tha se VV nuk do e pranojë kandidaturën e Ramush Haradinajt për president. Ai shtoi se edhe Albin Kurti do refuzonte të ishte president. Por Konjufca u shpreh që Osmani do të ushtroj detyrën e presidentit shumë shpejtë normalisht nëse ajo edhe e pranon kandidimin e saj për president.

“Vjosa Osmani shumë shpejt do të ushtrojë detyrën e presidentit. Ajo do të marrë vendimet e presidentit për Kosovën. Nëse e pranon Vjosa Osmani kandidimin për presidente, kjo është një situatë e re në Kosovë. Por unë nuk mendoj se Vjosa Osmani do e legjitimojë qeverinë e Hotit për tre vite të tjera. Është mirë që fillimisht postin e presidentit ta ushtrojë Vjosa Osmani,” u shpreh Konjufca.

Në lidhje më këtë çështje profesorët për “Bota sot”, u shprehën që emri i duhur për postin e presidentit është Vjosa Osmani dhe se nëse kjo ndodhë atëherë do të jetë një situatë e re politike mirëpo e duhura për popullin e vendit.

Bytyçi: Vjosa Osmani emri i duhuri për postin e presidentit të vendit

Profesori universitar, Enver Bytyçi në një prononcim në lidhje me “Bota sot”, u shpreh që deklarata e Konjufcës është i pari i cili e ka përmendur që Osmani të merr postin e presidentit në vendin tonë.

Bytyçi përmend tri arsyet që Osmani është e duhura për këto post sepse është polikania grua më e votuar dhe e dashur për popullin, është e fortë dhe e vendosur. Gjithashtu profesori thotë që numri i madh i votuesve të saj lidhet jo vetëm me forcën politike që ajo pati përfaqësuar, por edhe me emrin e personalitetin e saj, dhe është emri që i duhet Kosovës në krye të shtetit.

“Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosja, Glauk Konjufca, ishte i pari politikan që kohëve të fundit artikuloi emrin e Vjosa Osmanit për presidente të Republikës së Kosovës. Në fakt postin e kryetarit të shtetit po e lakmojnë disa politikanë. Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj janë dy prej më të spikaturve dhe më të zellshmit. LDK nuk po i lëshon pe Ramushit për shkak se zoti Mustafa dëshiron të jetë pasardhës i Hashim Thaçit. Dhe kësisoj do të realizohej trashëgimia Thaçi, sepse një ish-titist zëvendëson një enverist. Janë të ngjashëm, pavarësisht partisë që përfaqësojnë. Por në filozofinë popullore shpesh herë thuhet se “Kur zihen dy vetë, fiton një i tretë”! Nëse i besojmë kësaj filozofie do të duhet të themi se zoti Konjufca ka të drejtë. Megjithatë unë do të ndalem te disa përparësi që zonja Osmani bartë për të qenë në krye të shtetit të Kosovës. Së pari ajo është e aftë për atë pozicion, është me integritet për ta përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare”.

“Është politikane profesioniste e çliruar nga paragjykimet dhe si e tillë këtë detyrë e përmbush me sukses. Së dyti, ajo është një nga gratë më të fuqishme në hapësirën shqiptare. Është e fortë dhe e vendosur. Është fakt se kur Kosova kishte në krye të shtetit një grua, zonjën Jahjaga, ajo kishte ruajtur ekuilibra të shkëlqyer, pavarësisht se kishte shumë më pak se Vjosa përvojë politike. Gratë në Kosovë japin më shumë garanci sesa burrat në drejtimin e shtetit. Kjo duket qartë, sepse burrat janë të prirur për kompromisë për llogari të interesit personal. Ndërsa gratë nuk bëjnë kompromise anti-kombëtare. E tillë është shfaqur së paku deri tani edhe zonja Osmani. Së treti, Vjosa Osmani është gruaja dhe politikanja më e votuar në Kosovë. Numri i madh i votuesve të saj lidhet jo vetëm me forcën politike që ajo pati përfaqësuar, por edhe me emrin e personalitetin e saj. Pra është një politikane popullore e simpatizuar gjerësisht. Pikërisht të tillë politikanë i duhen Kosovës në krye të shtetit”, u shpreh Bytyçi.

A mund të jetë Vjosa Osmani presidente e Kosovës?

Bytyçi flet për postin e presidentit të cilin po e dëshirojnë politikanët e partive politike duke filluar nga Mustafa e pastaj edhe Haradinaj por që asnjëri nuk janë të duhurit për këtë post dhe së në rast se ndodhin zgjedhjet atëherë Kosova do të prodhonte një pranomë të re politike.

“Përgjigja e kësaj pyetjeje nuk është e lehtë, po të kemi parasysh konfliktet politike në Kosovë. Kreu i shtetit duhet të plotësojë shumë kritere strikte, përfshirë dhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Unë besoj se në këtë aspekt Vjosa Osmani është politikani/ia më e përshtatshme. Megjithatë grindjet politike dhe ekspozimi i saj në këto grindje mund ta vështirësojnë procesin. Pavarësisht kësaj nuk është e pamundëshme. Unë besoj se me largimin e zotit Thaçi, Kosova nuk do të jetë e aftë të ruajë ekuilibrat e tanishëm të qeverisjes. Për këtë arsye ajo do të duhet të shkojë në zgjedhje të reja. Zgjedhjet e reja do të prodhojnë një panoramë të re politike. Nuk them se Vetëvendosje do të marrë mbi 50 për qind të votave, nëse bëhen zgjedhje të reja, por edhe nëse ajo merr diku afër 40 përqind, qeverisja e saj është e konsoliduar, ndryshe nga ç’ndodhi në zgjedhjet e para një viti. Për pasojë, Vjosa Osmani do ta kishte mbështetjen e VV për të marrë postin e presidentit të Republikës. Nëse i shtojmë Vetëvendosjes edhe votat e partisë që ajo sapo ka krijuar ose do të krijojë, atëherë mund të supozohet se më afër këtij posti nuk mund të jetë asnjë politikan tjetër. Për pasojë e shoh të saktë deklaratën e zotit Konjufca”, u shpreh Bytyçi.

Profesori thotë që nëse Thaçi largohet nga posti i kreut të shtetit atëherë kryetarja e parlamentit do të marrë postin e përkohshëm të presidentit, derisa të bëheshin zgjedhjet e reja parlamentare. Mirëpo që edhe nëse ndodhin zgjedhjet e parakohshme sipas profesorit Haradinaj nuk do të ketë mundësin që të merr postin e presidentit sepse Mustafa do të votohej edhe nga 20 deputetët e pakicës serbe, nuk mund të i merr ato vota Haradinaj, përveç Thaçit dhe Mustafës, zor se dikush ngrihet në poste politike me votat e Listës Srpska.

“Nga ana tjetër, mendoj se nëse Thaçi largohet nga posti i kreut të shtetit për shkak të Hagës, atëherë kryetarja e parlamentit do të marrë postin e përkohshëm të presidentit, derisa të bëheshin zgjedhjet e reja parlamentare. Nuk shoh në këtë rast asnjë mundësi që Mustafa ose Haradinaj të zgjidhen në këtë post. Mundësia e zgjedhjes së tyre do të ishte më e madhe në Mars-Prill, kur mbaron mandati i presidentit aktual, nëse deri atëherë nuk mbahen zgjedhje të parakohshme. Por edhe nëse ndodh kjo, nuk e shoh Haradinajn në atë post, për shkak se Mustafa do të votohej edhe nga 20 deputetët e pakicës serbe e të tjerave në Kosovë. Nuk i merr zoti Haradinaj ato vota. Përveç Thaçit dhe Mustafës, zor se dikush ngrihet në poste politike me votat e Listës Srpska. Nëse u votua zoti Hoti prej tyre, garant të tij ishin pikërisht Thaçi dhe Mustafa”, tha profesori.

Mehazi: Ujqërit politik nuk ia japin luksin Osmanit për t’u bërë presidente e vendit

Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që deklaratën e Konjfucës që qëllimi i deklaratës së Konjufces ka qenë se nëse Thaçit i konfirmohet aktakuza atëherë Osmanit i takon të del në krye të shtetit si ushtruese e detyrës së presidentit të vendit.

“Deklarata e Nënkryetarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, se Vjosa Osmani shumë shpejtë do ushtrojë detyrën e presidentit të Kosovës, në nëntekst e ka kuptimin e pas konfirmimit të akuzës së Thaçit nga Haga, pas akuzës detyrimisht është i obliguar Hashim Thaçi të jep dorëheqje e sipas kushtetutës automatikisht Vjosa Osmani si kryetare e parlamentit merr ushtruesin e detyrës së kryetarit të Republikës së Kosovës. Pra, qëllimi i deklaratës të nënkryetarit të LVV-së Glauk Konjufcës ka qenë këtu, se Osmani përkohësisht do të bëhet kryetare e Kosovës, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri me anë të gishtave të deputetëve në parlament”, u shpreh Mehazi.

Në fund, profesori shprehët që Osmani nuk e ka luksin të jetë në krye të shtetit sepse nuk e lejojnë, Thaçi, Isa dhe Haradinaj, kjo mund të realizohet nëse në krye të qeverisë është Kurti.

“Kandidatura e Vjosës për kryetare të Republikës do ishte e realizueshme po, sikur Albin Kurti të ishte në krye të qeverisë, kurse me këtë përbërje të qeverisë shanset janë shumë të vogla për t’u bërë Kryetare e Kosovës Vjosa Osmani. Ujqërit politik të tipave të Haradinajve, Isave e Thaçave nuk ia japin atë luks Vjosa Osmanit për t’u bërë Kryetare e Republikës së Kosovës”, përfundon Mehazi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *