Pandemia ua mori 10 eurot e fundit

Pandemia me koronavirus ia ka vështirësuar mbijetesën Hastrete Gashit, 32-vjeçare, e cila thotë se para pandemisë ka mbledhur qelq dhe plastikë për t’i shitur. Nga kjo punë maksimum ka fituar 10 euro në ditë, të cilat i kanë ndihmuar që të ushqejë gjashtë fëmijët e saj.

Por, Hastrete Gashi, e cila i përket komunitetit rom, thotë se për shkak të frikës se mund të infektohet nga koronavirusi, nuk ka mundur të sigurojë këto mjete, e ndërkaq shton se ndihma që ka marrë nga shteti ka qenë e pakët. Ajo jeton në një lagje të Fushë Kosovës, ku jetojnë pjesëtar të komunitetit rom, të cilën Radio Evropa e Lirë e ka vizituar për të parë nga afër gjendjen e këtij komuniteti në pandemi.

Ndonëse asnjë i infektuar, aty asnjë person nuk kishte të vendosur maskë. Kushtet higjienike ishin mjaft të rënda.

“Asnjë në lagje nuk është infektuar. Fati ka dashtë kështu. Por, nuk na ka ndihmuar askush. Ndihmat që i kemi marrë që nga muaji mars, kanë qenë pako ushqimore dhe higjienike, e që janë të pamjaftueshme. Tash nuk po punojmë, sepse ne punojmë me mbeturina, i mbledhim në kontejnerë dhe është kohë pandemie. A i besohet kontejnerit të mbeturinave. Nuk po guxojmë, mos po infektohemi”, tregon Gashi. Edhe Shaqir Berisha, 26-vjeçar, i përket komunitetit rom. Ai tha se kushtet në të cilat jetojnë njerëzit në këtë lagje, janë shumë të vështira. Ndërkaq, shton se prej muajit mars pothuajse i gjithë komuniteti ka mbetur pa punë.

“Do Zoti nuk na vjen koronavirusi në lagje, se një personi po i ra virusi, të gjithëve do të na marrë. Po i shihni vetë kushtet, krejt lagjja është njëjtë. Mbeturina gjithandej. Ndihma po marrim, asistencë sociale, sepse mos të na kishin ndihmuar, ne kishim vdekur urie, por janë të pamjaftueshme”.

“Ne jemi tetë anëtarë të familjes, i kam gjashtë fëmijë. Punoj ndonjëherë privat kur ka punë, po shumë pak fitoj. Gjatë kohës sa kemi qenë të izoluar, asnjë cent s’e kemi fituar. Na kanë ndihmuar se nuk e di çka do të bënim”, thotë ai.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara që merret me refugjatët, UNHCR, komuniteti rom në Evropë ballafaqohet me rrezik të lartë të përhapjes së COVID-19. Në Evropë jetojnë afërsisht 12 milionë romë dhe shumica prej tyre nuk kanë qasje në ujë të pijshëm, energji elektrike dhe jetojnë në kushte të vështira pa mjekësi adekuate.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *