‘Shuplaka’ e radhës nga BE për Hashim Thaçin, ky është paralajmërimi i fortë për Presidentin

Bashkimi Evropian edhe njëherë e ka konfirmuar qëndrimin se është kundër idesë së korrigjimit të kufirit Kosovë-Serbi, ide kjo që ishte e presidenti të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandër Vuçiq. Ka qenë raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ajo e cila ka deklaruar se marrëveshje e cila përfshin korrigjimin e kufirit mes dy shteteve, do të ishte shumë e dëmshme dhe nuk do të zgjidhje problemeve reale.

“Do të ishte shumë e dëmshme për qytetarët e të dy palëve dhe as nuk do të zgjidhë problemet reale, kështu që unë dekurajoj fuqimisht të gjithë nga kjo marrëveshje. BE-ja nuk e përkrah ndryshimin e kufijve. Kjo mund të jetë precedent, i cili mund të shkaktojë një efekt domino në rajon. Ne kemi nevojë për vullnet politik nga të dy shtetet dhe të dy palët duhet të japin garanci për shembull në lidhje me mbrojtjen e minoriteteve; palët duhet të synojnë një marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjatë, dhe në mënyrë ideale ajo do të përfundojë me njohjen e Kosovës. Mund ta imagjinoj që është e rëndësishme të ecim përpara me qasjen hap pas hapi, derisa pasi të kenë rënë dakord për shumicën e pyetjeve teknike, mund të jetë më e lehtë të përpiqen për një marrëveshje përfundimtare, e cila përfshin njohjen e ndërsjellë”, ka deklaruar von Cramon në intervistën ekskluzive dhënë gazetës “Bota Sot”.

E lidhur me idenë e Thaçit dhe Vuçiqit, si dhe ‘goditjen’ e radhës nga BE ndaj idesë për korrigjimin e kufirit Kosovë-Serbi, për gazetën “Bota Sot” ka folur edhe njëri ndër kritikuesit dhe kundërshtuesit më të mëdhenj të këtij projekti, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sipas tij, më shumë që Thaçi dhe Rama përpiqen për ta realizuar projektin e ndarjes së Kosovës, aq më i madh do të jetë zhgënjimi i tyre.

“Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk është më në tavolinën e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë. Por sa kohë ai të jetë president do ta mbajë veten në mënyrë jolegale dhe jolegjitime në dialog. Emërimi i Skënder Hysenit si koordinator është treguesi më i qartë dhe i freskët se idetë dhe projektet e Hashim Thaçit dhe dy autorëve te tjerë, Vuçiç dhe Rama nuk kanë vdekur. Por një gjë është e ditur: Sa më shumë që Thaçi dhe Rama përpiqen për ta realizuar projektin e ndarjes së Kosovës, aq më I madh do të jetë zhgënjimi dhe hakmarrja politike e morale ndaj tyre! Në një farë mënyre me këtë iniciativë dhe me veprimet që kanë kryer ata të dy si dhe bashkëpunëtorët e tyre në politikë, në media, në shoqërinë civile etj janë shënuar në historinë e kombit shqiptar si shërbëtorë të Serbisë agresore dhe armike të shqiptarëve!”, thotë Bytyçi për “Bota Sot”.

Më tej, Bytyçi shprehet se von Cramon edhe njëherë e ka bërë të ditur se ideja dhe projekti për ndryshimin e kufijve është e mbetet i papranueshëm.

“Por ju keni të drejtë kur përmendni reagimet e përfaqësuesve të Bashkimit Europian e në veçanti të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe. BE si dhe këto dy vende lidere të kontinetit nuk e duan një përfundim të dialogut me opsionin e ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve. Zonja Viola von Cramon edhe një herë përmes intervistës së saj në Bota sot ka bërë të ditur se ideja dhe projekti për ndryshimin e kufijve është e mbetet i papranueshëm. Mos harrojmë se akuza ndaj Hashim Thaçit u publikua në mënyrë të përshpejtuar pikërisht për të ndalur një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, e cila parasheh lëvizjen e kufijve midis dy vendeve. Kjo do të thotë se njëri nga kuajt e karrocës u ndërrua në mes të rrugës, pa mbërritur në destinacion. Thaçin e zuri sëmundja e fruthit serb dhe u bë palë më Vuçiçin e Ramën për shkëmbimin e territoreve. Kjo sëmundje ia këputi atij fuqitë për ta tërheq karrocën e dialogut deri në fund”, thekson profesor Bytyçi.

Sipas tij, Thaçi jo vetëm që jo vetëm që refuzoi të flasë me evropianët, por i mori të gjithë në thumb, duke përfshirë edhe kancelaren, Angela Merkel.

“Nëse kujtohemi për deklaratat e presidentit të Kosovës para shpalljes së akt-akuzës, shohim se ai I pati shpallur luftë Bashkimit Europian. Dhe nëse kujtojmë raportet e tij me Europën, atëherë mësojmë faktin që sa kohë Thaçi dhe Vuçiç bisedonin me Mogherinin, ata ishin miqësor me BE-në. Kur Mogherini dhe almtumirën e saj nga drejtimi I dialogut, Thaçi jo vetëm që refuzoi të flasë me europianët, por I mori të gjithë në thumb, madje edhe zonjën Merkel. Gati i pati shpallur luftë Gjermanisë dhe Europës. Pse? Sepse këta kundërshtuan projektin e ndarjes së Kosovës. Nëse shohim vizitat, takimet, kontaktet, letërkëmbimet, bisedat e Hashim Thaçit prej tri-katër vitesh e këtej, vëmë re se ato janë adresuar sipas një protokolli të ministrisë së Jashtme të Serbisë, te autoritete europiane dhe amerikane, të cilët kanë një farë afeksioni ose paguhen nga Serbia për të futur në thes përfaqësuesit e lartë të shtetit dhe institucionet e Kosovës e të Shqipërisë. I pari që hyri në këtë lojë ishte Rama, pas tij u radhit Thaçi, por ky I fundit si aktor në skenë, ndërsa Rama si bashkëregjisor prapa skenës”, shton Bytyçi.

Ai më tej paralajmëron se Thaçi mund të ftohet përsëri në Hagë, për të mos u kthyer më në Kosovë.

“Në këto rrethana, duhet thënë se është vetë presidenti i Kosovës ai që përgatiti terrenin që BE t’ia japë disa shuplaka. Shuplaka e fundit e zonjës Vramon është në vazhdën e kritikave dhe përpjekjeve disa vjeçare të Europës për ta larguar Thaçin nga zbatimi i idesë së shkëmbimit të territoreve. Kur u pa se kjo nuk po ndodhte, atëherë ia nxorën lëkurën e “ujkut”, pra akt-akuzën e Gjykatës Speciale. Nëse do të vazhdojë të ndërhyjë edhe më tej dhe të mos japë dorëheqjen me qëllim që ta garantojë vazhdimësinë e politikës së tij anti-kosovare, njëkohësisht anti-europiane dhe proserbe, ka mundësi që ta thërrasin për së dyti në Hagë dhe të mos e lënë më të kthehet në Prishtinë”, deklaron profesor Bytyçi.

Për fund, ai thotë se Thaçi duhet të pranojë publikisht se gaboi rëndë me projektin e ndarjes së Kosovës.

“Duhet t’i sqarojë evropianët dhe qytetarët e Kosovës se si e pse arriti në këtë fazë të veprimtarisë së tij antishqiptare. Duhet të flasë me hollësi për rolin e Edi Ramës, Baton Haxhiut, Tony Blair, Georg Soros e të birit të tij në këtë projekt. Duhet të flasë e të sqarojë se deri ku kishte shkuar kjo axhendë. Çfarë përmbante konkretisht projekti në fjalë. A do shkonin në Uashington për firmosjen e tij? Vetëm nëse Hashim Thaçi bën një katarsisi të thellë lidhur me kufijtë, mund të kthejë një pjesë të besimit te njerëzit. Së paku mundet që disa të ndjejnë keqardhje e ta mëshirojnë. Në të kundërt Hashim Thaçi e Edi Rama, së bashku me Batonin, kurrë nuk do të mëshirohen e falen për atë kurth tragjik që përgatitën për Kosovën, për shqiptarët, për rajonin dhe mbarë kontinentin europian!”, përfundon për profesor, Enver Bytyçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *