Si Asambleja Serbe e Bosnjës i ripërkufizoi boshnjakët si armiq “turq”

Hulumtimi në Asamblenë Serbe të Bosnjës të kohës së luftës në vitet 1990 tregon se retorika e politikanëve të saj ishte thelbësore në procesin e krijimit të një imazhi të boshnjakëve si armiq historikë të një race inferiore, gjë e cila ndihmoi në justifikimin e krimeve të luftës.

Ndërsa qyteti i Srebrenicës ra në duart e Ushtrisë Serbe të Bosnjës më 11 korrik 1995, komandanti i saj Ratko Mlladiç dhe shoqëruesit e tij hynë në qytet.

“Ja ku jemi, më 11 korrik 1995, në Srebrenicën serbe. Në prag të një feste tjetër të madhe serbe, ne ia dhurojmë si dhuratë këtë qytet popullit serb. Më në fund, pas Rebelimit të Dahive (rebelimi serb i shekullit të 19-të kundër perandorisë otomane turke), ka ardhur koha të marrim hak ndaj turqve në këtë rajon”, tha Mlladiç ndërsa pozonte për kamerat me qytetin në sfond.

Në dhjetor 1991, Rajko Dukiç, duke folur në cilësinë e presidentit të komitetit ekzekutiv të Partisë Demokratike Serbe, SDS, iu drejtua Asamblesë së Popullit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë. Anëtarët serbë të Asamblesë së Republikës Socialiste të Bosnjës dhe Hercegovinës e themeluan këtë Asamble Serbe të Bosnjës si një organ legjislativ paralel në tetor 1991. Në katër vitet që pasuan, Asambleja Serbe e Bosnjës do të funksiononte si organi suprem ligjvënës dhe vendimmarrës në Republikën Srpska, pjesa e territorit boshnjak që mbahej nga Ushtria Serbe e Bosnjës.Duke komentuar atë që ai e pa si arrogancën e liderëve politikë boshnjakë dhe kroatë në vend, Dukiç deklaroi se “nëse ata vazhdojnë me këtë lloj sjelljeje, unë jam i bindur se 21 dhjetori 1991 do të jetë fillimi i Rebelimit kundër Dahive”.

Hulumtimi i BIRN në dokumentet e Asamblesë Serbe të Bosnjës, përfshirë legjislacionin që miratoi, vendimet, rezolutat, deklaratat dhe transkriptimet e seancave dhe debateve, ofron një pasqyrë të retorikës së përdorur nga anëtarët e saj.Ajo tregon se si elita politike në Republikën Srpska ndërtoi imazhin e boshnjakëve si të huaj ndaj komunitetit politik boshnjak – qenie nën njerëzore që përbënin një rrezik vdekjeprurës për mbijetesën e serbëve.

Krijimi i këtij imazhi të boshnjakëve si qenie nën-njerëzore – apo edhe jo njerëzorë – ndihmoi për të justifikuar operacionet ushtarake, refuzimin e traktateve të paqes dhe kryerjen e krimeve kundër boshnjakëve.Anëtarët e Asamblesë Serbe të Bosnjës ishin një grup heterogjen intelektualësh dhe ekspertësh: mbajtës doktorature, profesorë universiteti, mjekë, shkrimtarë, avokatë, ekonomistë, inxhinierë dhe priftërinj. Anëtarët dhe lidershipi i asamblesë shfrytëzuan një mori imazhesh dhe trashëgimie për të rikonceptuar boshnjakët.Kur elitat serbe u nisën për të shkatërruar Bosnjën dhe Hercegovinën në vitet 1990, “turku” zinte ende një imazh të rëndësishëm në në imagjinatën e klasës politike serbe.

Islami ishte, pra, ai element i identitetit boshnjak që u shfrytëzua më shumë për rikonceptimin e tyre.Anëtarët e Asamblesë Serbe të Bosnjës përdorën Islamin si motivin e përhershëm në procesin e ndërtimit të një identiteti të ri për boshnjakët. Në procesin e ndërtimit të këtij realiteti të ri, ata i panë veprimet e tyre si një vazhdim të përpjekjeve për de-osmanizimin ose de-turqizimin e Bosnjës. Në seancën e 24-të të Asamblesë, të mbajtur në Bijeljina gjatë kohës së luftës në janar 1993, duke komentuar një nga raundet e shumta të negociatave të paqes të ndërmjetësuara nga komuniteti ndërkombëtar, Dragan Miciç deklaroi se momenti kishte “rëndësi historike”, sepse “po i afrohemi fundit të një lufte 200-vjeçare çlirimtare të popullit serb”.

Karaxhiçi i portretizon serbët si antemurale të Europës së krishterëDuket se elitat serbe ndanin të njëjtin mendim si homologët e tyre serbë të Bosnjës se lufta ishte një luftë kundër “turqve”.

Veselin Djuretiç, një anëtar i Akademisë Serbe të Shkencës dhe Arteve, u ftua të flasë në seancën ceremoniale të Asamblesë Serbe të Bosnjës më 9 janar 1994, përvjetorin e tretë të themelimit të Republikës Srpska, entiteti me shumicë serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Djuretiç doli në podium dhe tha se “ajo që ka ndodhur në dy vitet e fundit është vazhdimi i asaj që filloi në vitin 1804 (në rebelimin e parë serb kundër osmanëve)”.

Në sfondin e rikonceptimit të boshnjakëve si jo pjesë e komunitetit politik ishte miti i antemurales (mbrojtësit), sipas të cilit serbët janë pjesë e një entiteti kulturor më të madh dhe gjoja superior.Miti i antemurales gjithashtu thekson se grupi i zgjedhur – në këtë rast serbët – nuk është vetëm një pjesë e një civilizimi më të madh (të krishterë), por se ai gjithashtu përfaqëson avanpostin e tij, duke sakrifikuar veten për ta shpëtuar këtë civilizim. Në shkurt 1995, ndërsa presioni ndërkombëtar për një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës në Bosnje u rrit, presidenti i Republika Srpska Radovan Karaxhiç i shtjelloi asamblesë arsyen kryesore për dështimin e nismave të mëparshme për paqe dhe planeve të paqes.

“Askush nuk na ka ofruar kurrë ndonjë mundësi tjetër përveçse të zhdukemi, të shfuqizojmë shtetin tonë, të pranojmë një shtet të përbashkët me presidentin boshnjak Alija Izetbegoviç, ose, më saktë, me myslimanët dhe kroatët, dhe ata na e thanë qartë këtë nëpër kokteje dhe dreka: ‘Zotërinj, kjo është për shkak se ne nuk duam të pranojmë ekzistencën e një shteti islamik në Europë!’” tha Karaxhiç.

Duke shpjeguar se si fuqitë europiane insistuan që serbët të qëndrojnë me boshnjakët në të njëjtin shtet, Karaxhiçi edhe një herë përforcoi mitin e antemurales në të cilin Europa është “një komunitet popujsh të krishterë të lumtur”, ndërsa Serbia “ruan muret e saj, si një lloj hendeku i mbushur me ujë të pisët, pa ndonjë qëllim tjetër përveç neutralizimit të Islamit”.

Përjashtimi i boshnjakëve nga Republika Srpska me shumicë serbe u përcaktua gjithashtu përgjatë vijave civilizuese, me boshnjakët që paraqiteshin si të çuditshëm, të huaj dhe aziatikë.Më 19 janar 1993, Vojislav Maksimoviç, zyrtar i partisë SDS, fajësoi “shtimin e sëmundjes ngjitëse aziatike” për shpërthimin e dhunës në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke shtuar se serbët, ndryshe nga boshnjakët, nuk janë “një sekt aziatik, i mbjellë nga një erë e hallakatur nëpër Ballkan”.Maksimoviç gjithashtu iu referua boshnjakëve si “tradhtarë dhe femohues nga besimi ynë”, duke i akuzuar ata se ishin njëkohësisht trashëgimtarë të një pushtuesi aziatik dhe të ish-serbëve të cilët ishin konvertuar në myslimanë.Ashtu si me procesin e përjashtimit të boshnjakëve nga komuniteti politik, procesi i prezantimit të tyre si një armik ekzistencial dhe si një kërcënim shpesh kishte në qendër të tij Islamin.

Karaxhiç “profetizoi” se serbët do të përfundonin si “qytetarë të klasit të dytë dhe të tretë”, nëse do të përfundonin në një shtet të përbashkët me boshnjakët.Në nëntor 1994, Nedjeljko Rasula, kryetari i Sanski Mostit, i kërkoi asamblesë të mbështeste shkatërrimin ushtarak të enklavës përreth qytetit të Bihacit, në procesin e përcaktimit jo vetëm të popullsisë së enklavës, por të boshnjakëve në përgjithësi si “gjarpërinj ”.Rasula argumentoi se një sulm ndaj Bihacit ishte i domosdoshëm sepse “me një gjarpër që pritet në dy pjesë, një pjesë do të kërkojë një person për ta kafshuar, atë person që nuk e qëlloi atë në kokë. Kështu ndodh me turqit.”Ndërsa fatet ushtarake po ktheheshin kundër serbëve të Bosnjës në fund të vitit 1994, Karaxhiç mendoi se ishte e nevojshme të nënvizonte natyrën parandaluese të konfliktit për të mbrojtur krijimin e Republikës Srpska kundër sulmit boshnjak.“Dhe kuptova përse myslimanët donin të ndryshonin kushtetutën gjatë këtyre dy viteve të fundit dhe të prisnin që halaša e tyre të arrinte moshën e duhur dhe brenda dy viteve ata të mund të merrnin mbi 50 për qind të votave në parlament… Ne do të zhdukeshim”, tha ai.

Halaša, një fjalë e marrë nga turqishtja, mund të përkthehet si “turmë’ ose “llum”. Karaxhiçi nuk ishte i vetmi që i portretizonte boshnjakët si imoralë, jo njerëzor, të egër dhe që nuk mund të lejoheshin të vetë-qeverisnin. Në janar 1994, Maksimoviç theksoi se “lakmia myslimane është një karakteristikë e qenies së tyre fizike”.“Disa kombe do të zhduken fare”
Gjatë luftës, deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit në fund të vitit 1995, Asambleja Serbe e Bosnjës mbeti një vend i sigurt ku anëtarët e tij, si dhe folës të tjerë, mund të diskutonin lirisht dhunën – e kaluar si dhe të ardhshme – përfshirë veprime dhe politika specifike që synonin asgjësimin e boshnjakëve.

Një folës në një seancë të asamblesë më 21 dhjetor 1991, i identifikuar në transkriptimin e seancës vetëm si Vukiç – me shumë gjasë Radislav Vukiç, një anëtar i rangut të lartë të SDS-së nga Banja Luka – bëri një kërcënim të hapur.Në një aludim i qartë dhe tepër i zakonshëm nga repertori nacionalist serb, ai deklaroi se “do të ketë një kryengritje tjetër serbe dhe do të ketë gjakderdhje masive në të cilën disa kombe do të zhduken krejtësisht”.

Kristalizimi i qëllimit gjenocidal në rastin e gjenocidit boshnjak ishte i lidhur në mënyrë të pandashme me rikonceptimin e viktimës së synuar.Vetëm duke prodhuar një realitet në të cilin fushata aktuale e serbëve ishte një vazhdim i luftës së tyre të mëparshme për çlirim nga Perandoria Osmane, mund të merrej një vendim politik për të vrarë mijëra njerëz dhe për të çrrënjosur dhe zhdukur qindra mijëra të tjerë.Kështu, përmes rindërtimit të viktimës dhe rolit të saj në menaxhimin dhe drejtimin e dhunës, Asambleja Serbe e Bosnjës luajti një rol të rëndësishëm në procesin gjenocidal në Bosnjë dhe Hercegovinë që nga fillimi deri në fund të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *