Zmbrapset Hoti, Qeveria përfshin në buxhet kushtin e AAK-së për Autostradën e Dukagjinit

“Autostrada e Dukagjinit nuk duhet të ndërtohet mbi baza të argumenteve politike por mbi bazat të studimeve të fizibilitetit … Mjetet e Autostradës së Dukagjinit do të shkojnë në projekte të tjera me të cilat do të përfitojnë qytetarët e krejt Rrafshit të Dukagjinit”. Kështu kishte thënë Avdullah Hoti në fund të vitit 2019 kur nuk ishte kryeministër.

Kryeministri Hoti është dorëzuar dhe ka pranuar që rreth një miliard euro, sa do t’i kushtojë buxhetit ndërtimi i “Autostradës së Dukagjinit”, të mos shpenzohen për shëndetësi, raporton KOHA.

Ndërtimi i kësaj autostrade, që ka qenë një prej kushteve të AAK-së për formimin qeverisë së udhëhequr nga Hoti, është miratuar si pjesë e Projektbuxhetit 2021.

“Një projekt të cilin e kemi kontraktuar më herët, por duhen fonde shtesë edhe për t’u finalizuar edhe vetë projektimi, është projekti i radhës, ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit, Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë”, ka thënë Arban Abrashi, ministër i Infrastrukturës.

Nga i gjithë kabineti qeveritar vetëm ministrja Hykmete Bajrami ka abstenuar në votim.

Ky është vetëm njëri prej projekteve që Abrashi e ministra të tjerë të Qeverisë kanë kërkuar që të shtohen në buxhetin prej 2.4 miliardë eurove, ose buxhetit 200 milionë euro më të ulët sesa ai i këtij viti.

Lidhur me këto kërkesa, në mbledhjen e Qeverisë, ka reaguar ministrja e Financave.

“Situatën pandemike duhet ta kuptojmë secili prej nesh, sepse po jetojmë në baza ditore, numrat veç po rriten, një gjë është mirë ta kemi të qartë të gjithë është që nuk mundet Ministria e Financave t’i përcjellë as premtimet e as zotimet e asnjërit”, ka deklaruar Hykmete Bajrami, ministre e Financave.

Sipas Bajramit, ekonomia e vendit deri në fund të vitit 2020 pritet të tkurret për 6.7 për qind, por vitin e ardhshëm ajo ka thënë se pritet të ngrihet për 5.2 për qind.

Megjithëkëtë, sipas saj, për shkak të pandemisë, parashikimet janë të rrethuara me pasiguri të larta.

Në bazë të procedurave ligjore, fundi i tetorit është koha kur Qeveria duhet ta miratojë propozim-buxhetin për vitin fiskal dhe ta dorëzojë në Kuvend. Kurse, afati përfundimtar kur duhet të miratohet nga deputetët është 31 dhjetori.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *